ShareThis

Homee

Search This Blog

Vrasja në ’98 e ish-ministrit Krasniqi, familja: Të rivarroset në Kosovë

Wednesday, March 27, 2013


Ahmet Krasniqi, ish-ministër i parë i Mbrojtjes së Kosovës, ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë në moshën 50-vjeçare, prehet në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari. Aziz Krasniqi, kushëriri i parë i ministrit, në intervistën dhënë për "Gazetën Shqiptare", shprehet se në këtë 15-vjetor të përkujtimit të tij do kërkojnë që eshtrat e Ahmet Krasniqit të kthehen në Kosovë dhe të vendosen në varrezat e dëshmorëve. Por si ka qenë jeta e ish-ministrit në fëmijëri, rritja e tij jetim e sa ka ndikuar familja e krijuar me serben Sllobodanka në përcaktimet e ndryshme që i kanë bërë qenies së tij pas vrasjes...

Keni qenë ndonjë herë në shtëpinë e tij në Tiranë? Sa di unë dhe jam i sigurt, Ahmet Krasniqi nuk ka pasur shtëpi personale në Tiranë. Ai ishte në Tiranë përkohësisht, por edhe në Tropojë, derisa të futej në Kosovë me batalionin "Skënderbeu".
Pas vrasjes së Krasniqit, pati më ofensiva serbe? Pas vrasjes së tij në Tiranë, më 21 shtator 1998, në mëngjesin e 22 shtatorit, forcat serbe e bënë Zhilivodën (vendlindjen e Ahmet Krasniqit) rrafsh me tokë. Popull dhe ushtarë ishim të strehuar në Qyqavicë, pikërisht familja ime u gjind në vendin e quajtur Qeshmja e Djefci.
Pse nuk i interesonte politikës kosovare të kishte në qeveri një burrë si Ahmet Krasniqi? Sepse ishte lufta për pushtet, sepse ishin përçarjet pikërisht sikur në kohën e Jusuf Gërvallës. Sepse gjatë luftës mbretëronte një atmosferë vëllavrasëse mu sikur pas Mbledhjes së Mukjes dhe kjo gjendje vazhdoi edhe pas luftës që gjithashtu janë të dhimbshme.
Vrasësit e tij janë identifikuar dy shqiptarë që përdorin dialektin e Kosovës, dini gjë për fatin e tyre, njërin kemi lexuar se është vrarë? Besoj që për këtë pyetje jam përgjigjur në pyetjen e mësipërme. Sikur të dinim dhe të ishim të sigurt nga ajo që thuhet në net, sigurisht që do t'iu bënim padinë në gjyq. Emri dhe mbiemri i të vrarit gjendet në faqen e (FB) të Ahmet Krasniqit. Por, atë emër e shkroi nofka Arvan Arvanitas. Sa mund t'i besohet një nofke!?
E kë akuzoni për vrasjen e tij? Kjo çështje është aq shumë e koklavitur sa s'mund t'i vesh gishtin askujt. Për këtë kemi kërkuar nga drejtësia shqiptare të hapë dosjen e Ahmet Krasniqit për t'u gjetur vrasësit, ose të na thonë nëse kjo është vazhdimësi e persekutimit të fisit tonë nga ai rrjeti enverist si Haziz Xhelivodës e ministrit Krasniqi. Është thënë se 3 vetë në atë atentat kanë qenë nga Shqipëria e pesë nga Kosova. Pse nuk jepen emrat e tyre, të dënohen, por i duhet të mbajë në ndërgjegje peshën e vrasjes së Ahmetit.
Komandanti ka lënë gruan, Sllobodankën, vajzën Teutën e një djalë, Florentin. Ku jetojnë ata tani, me se merren, sa shpesh i takoni? Gruaja jeton në Rovinje ndërsa fëmijët në Zagreb. Djali vjen shpeshherë në Kosovë d.m.th takohemi 4 apo 5 herë në vit.
Po bashkëshortja e Ahmetit, Sllobodanka është kroate? Është serbe, por dihet fakti që në atë kohë me kryerjen akademinë ushtarake dhe me marrë gruan shqiptare ka qenë shumë vështirë.
Ka ndikuar gruaja e tij që disa e quajnë jugosllav? Po çfarë lidhje ka gruaja. Edhe Ismail Qemali gruan e kishte bullgare, por vetë ishte shqiptar. Vrasja e Ahmet Krasniqit ka qenë vrasja më e madhe pas Hasan Prishtinës dhe e ngjashme me vrasjen e anëtarit të qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Durrahi. Fatkeqësisht këtu përsëritet historia, për shkak se ende ka njerëz që kanë propaganduar e propagandojnë kundër popullit shqiptar.
Mund të na tregoni copëza kujtimesh tuajat personale me të ndjerin ministër? Viti nuk më kujtohet kur ka qenë në familje, por besoj diku rreth vitit 1989-1990, po në atë kohë isha në shoqërinë kulturo- artistike "Jusuf Gervalla" dhe Ahmeti më tha: Këndoja Bacit një këngë me çifteli. Ja këndova këngën "Moj Serbi shtrig e vjetër" kur përfundova më tha: Të këndoftë zemra e rrofsh Aziz Zhilivoda i vogël.
Kur ia këndove këngën, Ahmeti erdhi në shtëpinë tuaj? Ishim në odën e axhës Ragip, kështu që shtëpia jonë ka qenë e përbashkët.
Po gjyshi juaj, ku jetonte dhe pse u dënua? Jetonte në Elbasan dhe u dënua me 10 vite burg me akuzën se kishte bërë propagandë kundër pushtetit të atëhershëm Enverist dhe mbronte shokët e tij patriotë nga Kosova.
Ahmet Krasniqi është varrosur afër Azem Hajdarit në Tiranë, njihej me të? Po, Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi njiheshin mirë, sepse Azem Hajdari ka qenë mbështetës i fortë i çlirimit të Kosovës.
Mos kanë lidhje dy vrasjet bashkë? Mund të kenë lidhje, por ne nuk dimë asgjë në këtë drejtim. Sipas asaj që dihet, pas një darke pune në restorantin "Nëna mbretëreshë" nga restoranti dalin 3 automjete dhe rrugës i ndal policia shqiptare e maskuar, dy i lëshon por ua ndërron drejtimin, ndërsa automjeti ku gjendej Ahmet Krasniqi niset në drejtim të banesës ku banonte.
Me kë ka qenë Ahmet Krasniqi kur është vrarë? Drejtues i automjetit ka qenë Naim Geci dhe një gazetar-oficer Rifat Haxhijaj, të dy jetojnë në Zvicër. Vrasjen nuk e kanë shpjeguar asnjëherë publikisht.
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë pasur njohje me Ahmetin? Hashim Thaçin e di se ka pasur njohje, ndërsa për Ramushin s'mund të them, se nuk e di.
Pse u rrit në shtëpinë tuaj Ahmet Krasniqi? I ati i Ahmet Krasniqit vdiq pas torturave serbe rrugës për në spital, ndërsa e ëma i vdiq pak kohë pas lindjes së Ahmetit. Në kohë që ai do lindte, 36 anëtarë të familjes sonë kanë qenë në burg në Vushtre. Kur i erdhi koha me lind, nanën e Ahmetit e nxorën prej burgut e ajo shkoi te vëllezërit e vet në Bushnicë. Ai u rrit jetim e deri tre vjeç ka nejt te dajat. Më pa Shehidja, gjyshja ime, gruaja e Haziz Xhilivodës e rriti atë e Bexhetin deri sa u shkolluan.
Po jeta e vëllait të vet? Më 1981 Bexheti u dënua për mbajtje të librave të ndaluar dhe u burgos. Më pas iku në Gjermani, aty ku ende jeton.
Ekziston shtëpia juaj e vjetër? Jo, ajo u kall nga lufta e gërmadhë ka mbet.
Shumë njerëz kanë marrë tituj, por duket se emri i Ahmet Krasniqit është lënë pak në hije? Ahmet Krasniqi është shpallur Hero i Kombit e për sa i përkeq asaj çështjes së lënë në hije, po jua përsëris që, me u hap dosja e Ahmetit, dalin në shesh shumë të palara, e kjo kuti e Pandorës s'i intereson politikës me e hap.
Po rrugë me emrin e tij a ka? Po, ka një rrugë në Prishtinë, që më parë njihej si rruga "Dragodan", ka në Prizren në lagjen "Artakall" dhe në Mitrovicë.
Tani, meqë bëhen 15 vjet nga vdekja e tij, do i kërkoni eshtrat e tij për t'i bërë në rivarrim siç i takon? Sigurisht që ne dëshirojmë shumë që t'i kthejmë eshtrat e Ahmet Krasniqit në Kosovë, por duam ta bëjmë këtë institucionalisht, sepse ashtu i takon. Kemi kërkuar për një vend në Varrezat e Dëshmorëve nga Isa Mustafa dhe ai ka premtuar se do e bëjë të mundur, por ka thënë që kjo do punë. Por ne do kërkojmë 'non stop' të sillen eshtrat e tij në Kosovë ashtu siç i takon. Ndërkaq, duam të sjellim në Kosovë edhe eshtrat e gjyshit, Haziz Xhilivodës, i cili ndodhet i varrosur në Elbasan.
U jeni drejtuar institucioneve shqiptare për hapjen e dosjes? Po, Bexhet Krasniqi, vëllai i Ahmetit, ka kërkuar të hapet dosja dhe i kanë thënë që të gjejë një avokat të fortë për të ndjekur këtë çështje. Por s'e kuptojmë pse për një vrasje të një niveli kaq të lartë duhet të merremi ne me avokatë, dhe shteti shqiptar ku u krye vrasja nuk përpiqet me zbardhë çështjen e me gjet fajtorët. 

 

Blogger news

Blogroll

Live Kosova

Most Reading

Blogger templates