ShareThis

Homee

Search This Blog

Po sikur te ishin femijet tuaj?

Friday, March 22, 2013



Para disa ditësh, disa të rinj demonstruan para selisë së Kuvendit kundër keqtrajtimit të disahershëm të fëmijëve shqiptarë në Maqedoni. Kërkonin, me të drejtë, përkrahjen e shtetit shqiptar, i cili po heshte, ndoshta edhe për hir të “stabilitetit në rajon”, aq shumë të kërkuar së fundi nga ndërkombëtarët, pas etheve “malarike” të Berishës për nacionalizëm të vonuar e të sforcuar. Demonstruesit mbanin një parullë ku shkruhej: “Po sikur ata të ishin fëmijët tuaj?”... Ishte thirrje sa sentimentale, aq edhe e arsyeshme. Të rinjtë besonin se kësisoj mund të preknin sadopak telat e zemrës të udhëheqësve tanë, duke iu kujtuar se, edhe ata kishin fëmijë... Prandaj... prandaj le të mendonin për fëmijët e rrahur e dhunuar për shkak të racizmit me po aq dhembshuri si të ishin fëmijët e tyre!... Si është bërë e udhës në komunikimin e përditshëm qeveri-popull e udhëheqës-qytetar, edhe kjo thirrje origjinale u përcoll me mospërfillje e me heshtje “demokratike”, e cila në praktikë shqipërohet kështu: “Bjerini legenit, bjerini! Mirë bëni që i bini, se kështu duket sikur edhe tek ne ka liri dhe demokraci!”...
Qytetarët shqiptarë nuk ngrihen në protestë nëse policia rreh, vret, apo dhunon një të ri, si ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara sepse janë të bindur që, edhe po të protestojnë, askurrgjë nuk ka për të ndodhur, asnjë hall nuk ka për t’u zgjidhur, edhe sikur t’u drejtojnë një thirrje të tillë prekëse qeveritarëve: “Ju lutemi, ju bëjmë rixha, vini dorën në zemër, mendoni për popullin si për popullin tuaj”!
Tek ne nuk mund të ndodhë si në Bullgari e as si në Kosovë, kur qytetarët u ngritën në protestë për faturat e ÇEZ-it, edhe pse ato tre muajt fundit, pas dënimit të çekëve, janë dyfishuar... Prandaj ka një qasje inerte e moskokëçarëse, deri në arrogancë, ndaj halleve dhe problemeve reale të shoqërisë. Është bërë e udhës të mos jepet dorëheqje, të mos ketë reflektim, të kërkohet ndjesë as kur policia të vret, as kur të burgos pa të drejtë, as kur të përmbyt, as kur uji i pijshëm, qumështi, mishi apo buka e gojës dalin të infektuar e me përzierje që shkaktojnë kancer, as kur opozita proteston dhe as kur vetëdigjen me benzinë, në mes të kryeqytetit, prej dëshpërimit, ish-të përndjekurit.. “Ne e kemi marrë pushtetin me votë”, “ne kemi mandat për të qeverisur, ndaj mund të bëjmë si të duam”, ngjan me parullën e komunistëve, pas lufte: “Ne e fituam pushtetin me grykën e pushkës, ndaj na takon të flasim e të veprojmë në emër të popullit!”...
Kjo është shenja më ndjellakeqe e një krize morale!
***
Por e keqja më e madhe për një shoqëri qenka kur kriza morale bie mbi fëmijët, kur edhe ata bëhen viktima të kësaj rropame.
Para disa ditësh policia e Tiranës zbuloi një maniak, një pedofil, i cili paskësh rrëmbyer një fëmijë dhe vrarë një tjetër, i cili prej disa muajsh ishte shpallur i humbur... Për familjen e fëmijës, të cilit po i kërkohen eshtrat në Sharrë, tragjedia e kapërcen kufirin e një vdekjeje aksidentale, sepse për ta nuk ka dhe nuk gjendet dot asnjë lloj ngushëllimi. Krimin në fjalë është pak ta quash makabër dhe pedofilin nuk mjafton fjala ta cilësosh monstër!
Tani del se në këto vite paska gati pesëdhjetë raste të abuzimeve seksuale me fëmijët, pa përmendur ato që nuk raportohen në polici... Një psikologe këshilloi prindërit edhe mësuesit që të edukojnë fëmijët që këta të mos pranojnë të shoqërohen me të panjohur... Por a është kjo zgjidhja, - mbyllja e fëmijëve në shtëpi dhe izolimi i tyre nga mjedisi i rrugës? A mund të shpëtohen fëmijët tanë nga rreziku i infeksioneve morale, nga degradimi, nga humbja e vlerave njerëzore që burojnë prej krizës së thiktë morale dhe ekonomike? Ç’masa mbrojtëse ka shoqëria jonë për dukuri të tilla si droga, prostitucioni, mjerimi, analfabetizmi, prirja e të rinjve për një jetë të lehtë qejfesh, mode, orgjish dhe konsumizmi pa derdhur djersë? Në këto drejtime nuk ka asnjë profilaksi. Askush nuk është i mbrojtur, edhe në qoftë i pasur.

***
Dihet që “rruga” tek ne është bërë tejet e rrezikshme, sidomos për fëmijët. Jo nga trafiku i makinave, por nga trafiku i së keqes që nuk dihet se nga të vjen. Rrallë shikon fëmijë që shkojnë në shkollë të pashoqëruar. Fëmijët janë më të pambrojturit e më të rrezikuarit. Jo vetëm nga “rruga”, si institucion që nuk vihet dot nën kontroll, po edhe nga shkolla, ku jo vetëm droga, por edhe veset gëlojnë... Edhe familja, e cila nuk e përballon dot trysninë e “modernizmit” të beftë, të transformimit të vetes nga gjendja rurale në atë urbane, është e paaftë, e papërgatitur, madje në jo pak raste edhe e prirur për “infeksionet” e modës, të asaj mendësie që shprehet me: “Kështu e ka bota, pse ne ndryshe do të jemi”? Media luan një të papërballueshëm me spektaklet, videot, pornot, klipet, lakuriqësinë, vulgaritetin dhe virtualitetin e një luksi që në shumicën dërrmuese të popullsisë nuk ekziston dhe mungesën totale të programeve edukuese... Kështu, para ca ditësh, një i ri në “Big Brother” deklaroi para kamerave, po edhe para të fejuarës, se ai dikur kishte bërë rolin e zhigolosë.... d.m.th të prostitutës mashkull.... Por nuk janë të pakta programet kur fëmijët vishen me minifund, kur vihen të kërcejnë si Madona, të bëjnë sfilata mode e të këndojnë tallava e këngë të zjarrta dashurie... Dhe prindërit psherëtijnë të lumturuar: O, sa të talentuar e kam vajzën/djalin!...
Ndërsa qeveria, si kujdestare, i ka larë duart me vakt e me kohë, pasi ajo, siç dihet, ka vetëm një hall: si të miklojë fëmijët me “Facebook” apo me “Twitter” që edhe ata të mbushin sheshet, t’i duartrokasin dhe të votojnë për ta. Për fat të keq, kush më shumë e kush më pak, të gjithë ne jemi përshtatur me këtë zezonë morale. Ca me dhunë, ca me snobizëm e injorancë, ca nga nepsi për përfitime të shpejta e të kollajshme materiale (nëpërmjet gjoja “talentit” të paparë të fëmijëve...), e ca nga e keqja e varfërisë. Jemi përshtatur e nuk na bëjnë përshtypje jo vetëm lypsët, fëmijët që na fshijnë nëpër udhëkryqe xhamat, por as sytë e mjeruar të fëmijëve të ngujuar e të uritur për një copë bukë, që ju dridhet buza nëpër shtëpi-haure dhe shkolla të rrënuara... Çfarë brezi po rritim ne? Ku po shkojmë kështu?

***
Por më e rënda qenkësh kur të përdhunon, të dhunon, të poshtëron, të fyen, madje edhe të vret Drejtësia e vendit tënd. Sepse në fakt, fëmijën e dhunuar e të vrarë nga pedofili i Prrenjasit më së pari dhe më së shumti e ka dhunuar, vrarë, masakruar Drejtësia, Gjykata e Tiranës, e cila e paska kapur dhe gjykuar pedofilin në fjalë për të njëjtin “sëmundje”, por e ka lëshuar dhe... dhe e ka dënuar me... me 60 mijë lekë gjobë! Nuk është rasti i parë dhe as i fundit kur kriminelët, dhunuesit, vrasësit e perversët lihen të lirë nga gjykatat. Kur ne jemi kaq të pambrojtur, si mund të vetëmbrohen fëmijët?
Lexoni, sa për ilustrim, justifikimin e gjyqtares Shefkie Demiri për pedofilin e arrestuar, dhënë për një ndodhi të ngjashme, të mbetur në tentativë, disa muaj më parë: “...Në rastin konkret, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, e cila cenon një marrëdhënie juridike të rëndësishme. Gjithashtu gjykata vlerëson personalitetin e të pandehurit si person i padënuar më parë për asnjë lloj vepre penale, si dhe aktin se i pandehuri i ka pranuar akuzat që në veprimet hetimore dhe është thellësisht i penduar”.
E pra, a funksionon në trurin dhe në ndërgjegjen e këtyre gjykatësve thirrja e sinqertë dhe pse jo, edhe naive e të rinjve: “Mendoni si për fëmijët tuaj!”? Si do të vepronte kjo zonjë dhe kolegët e saj po ta kishte pësuar fëmija i saj fatin e viktimës? Po krerët tanë? Përgjigja është e thjeshtë: ata do të veprojnë si kanë vepruar deri tani. Njëlloj sikur nuk ka ndodhur gjë, përderisa e keqja, krimi, nuk kanë hyrë në familjen e tyre. Dhe ja përse: Sepse tekefundit, ata kanë vënë ca para më shumë se fakirfukarenjtë, ndaj ju duket vetja më e siguruar... Por edhe pse shumica e tyre fëmijët i kanë nisur jashtë, nëpër ambasada e nëpër shkolla të Evropës e të SHBA-ve, ndaj kujtojnë dhe besojnë se kësisoj i kanë më të garantuar e siguruar. Harrojnë se kur Drejtësia nuk të mbron, po të vret, ky nuk mund të quhet mediokritet, ky e ka emrin krim shtetëror! Sepse në një shoqëri të tillë të terrorizuar e të infektuar, pa pikë profilaksie, askush nuk mund ta quajë veten dhe familjen e vet të imunizuar, të paprekshëm, edhe në qofsh kryegjyqtar, krye-prokuror, kryepolic, kryemafioz, komandant Garde, apo edhe kryeministër!
 

Blogger news

Blogroll

Live Kosova

Most Reading

Blogger templates