ShareThis

Homee

Search This Blog

Kush po i “dhunon” gratë e dhunuara?!

Thursday, March 21, 2013

Në adresë të një aktivisteje për të drejtat e grave, është lënë një kërcënim për ta mbyllur gojën ose përndryshe do ta “hajë” plumbin, një akt që aktivistja Igballe Rogova, në një prononcim për Telegrafin, e cilëson si tentim për t’ia mbyllur gojën atyre që duan të çojnë përpara disa prej kauzave të grave.


Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë ndaj kërcënimeve që i janë bërë Nazlie Balës, aktiviste e të drejtave të njeriut.
“Dje, në orët e vona të pasdites, Nazlije Bala u kërcënua me jetë. Kërcënimi anonim ka ardhur përmes një letre në derën e banesës së saj, ku shkruan: ‘Tlutemi mos e mproj turpin se tpret plumi ne ball’ (sic.). Kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me paraqitjen e saj në emisionin televiziv të RTK-së, ‘Në kërkim’, ku ajo ka mbrojtur amendamentimin që është propozuar t’i bëhet Ligjit për të gjitha kategoritë e viktimave të luftës, për t’iu shtuar edhe kategoria e personave të dhunuar seksualisht”, thuhet në një kumtesë të RrGGK-së. “Cilido të ketë qenë motivi i atyre që duan të pengojnë këtë projektligj, ua bëjmë me dije se nuk do të kenë sukses. Të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë janë në përkrahje të Ligjit. Ky Ligj siguron përkujdesje për këtë kategori të goditur rëndë nga lufta dhe ua mbron dinjitetin”.
Rogova i ka cilësuar për Telegrafin si “budallallëk” shumë prej diskutimeve që u bënë në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar, kur deputetët e partive në pushtet nuk miratuan disa prej propozimeve për ndryshime ligjore që ndërlidhen me gratë e dhunuara.
Drejtuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, ka thënë se derisa pushteti e shtynë këtë çështje që të mos votohet, atëherë duhet që t’ju shpjegohet qytetarëve përse u bë kjo.
“Këto gra kanë pritur 14 vjet një lloj dinjiteti, që vjen nga niveli më i lartë i pushtetit. Lëre që nuk treguan në Kuvend që këto gra kanë nevojë për dinjitet, por ato i nënçmuan. E këtë e bënë edhe gratë deputete, sepse ato votuan kundër. Ato nuk e kanë parë të rëndësishme çështjen e grave të dhunuara, por e kanë konsideruar të rëndësishme atë çka ju thotë partia”, ka thënë Rogova.
Por, anëtarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Flora Brovina, ka thënë se deputetët e partive në koalicion nuk janë kundërshtarë të kauzës së grave të dhunuara, por frikësohen se do të keqpërdoret si reklamë në raste të caktuara.
“Këtyre grave, po deshëm, mundemi shumë më shumë t’ju ndihmojmë. Por, mund t’i lëndojmë për së dyti duke bërë kaq shumë zhurmë. E di që ato nuk kanë qejf që të numërohen si gra të dhunuara. Tash, me ligj, ato hyjnë në radhën e viktimave civile. Edhe ka mundësi që ndoshta me akte nënligjore të sqarohen se si do të kompensohen dhe në të njëjtën kohë të mos keqpërdoret Ligji”, ka thënë Brovina, e cila është deputete e PDK-së dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.
Sipas Brovinës, kjo kategori ishte edhe në kuadër të Ligjit për Vlerat e Luftës, ku si viktima civile cilësoheshin edhe gratë e abuzuara në luftë.
“Edhe atëherë ato kanë heshtur dhe nuk ka pasur gra që janë lajmëruar për të marrë përfitime”, ka thënë Brovina.
Ndërkohë, Igballe Rogova ka thënë se kur votuan kundër ndryshimeve në Ligj, deputetët e pozitës nuk e patën hallin që të mos hapin plagët e të dhunuarave, por thjesht nuk duan që të ketë më shumë shpenzime në buxhet.
“Edhe në këtë rast duhet kujtuar se në Bosnjë ka pasur pesëfish më shumë gra të dhunuara sesa në Kosovë, por vetëm 900 veta marrin këso benificione. Nuk është qëllimi i përfitimit, sa është qëllimi i dinjitetit. Ato e marrin njëfarë dinjiteti me anë të kësaj mbrojtjeje ligjore”, ka thënë Rogova.
 

Blogger news

Blogroll

Live Kosova

Most Reading

Blogger templates