ShareThis

Homee

Search This Blog

Netanyahu i kërkon falje Erdoganit

Friday, March 22, 2013

Kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu, i ka kërkuar falje Turqisë për incidentin e vitit 2010, kur njësitet speciale izraelite sulmuan anijen që bartte ndihma humanitare, "Mavi Marmara", gjatë të cilit sulm janë vrarë nëntë turq. Burime të afërta me Qeverinë e Republikës së Turqisë, konfirmuan këtë informatë.

Zyrtarët amerikanë, në një deklaratë të dhënë gjatë fluturimit të avionit presidencial "Air Force One", kanë thënë se Izraeli ka kërkuar falje për sulmin e sipërpërmendur. Bëhet e ditur se Netanyahu e telefonoi kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë takimit në aeroport me presidentin amerikane Barack Obama, në vizitën e tij të parë në Izrael.
"Kryeministri e bëri të qartë se rezultatet tragjike, sa i përket ‘Mavi Marmaras’ ishin të paqëllimshme dhe se Izraeli shpreh keqardhje për lëndimet dhe humbjet e jetëve”, kanë thënë nga qeveria izraelite. “Në dritën e hetimeve izraelite, për këtë incident, që vuri në dukje disa gabime operative, kryeministri Netanyahu i kërkoi ndjesë popullit turk për gabimet që mund të kenë çuar në humbjen e jetëve dhe është pajtuar për të përfunduar marrëveshjen për kompensim”.
Komandot izraelite më 31 maj 2010 kishin sulmuar anijen “Mavi Marmara”. Incidenti kishte ndodhur në ujërat ndërkombëtare, ndaj kishte shkaktuar tensione të mëdha mes Turqisë dhe Izraelit. Zyrtarët turq kanë kërkuar nga Izraeli falje zyrtare dhe të paguajë dëmshpërblimin për familjet e viktimave.
Ishin gjashtë anije me qindra aktivistë që ishin nisur nga Qiproja dhe kishin vazhduar rrugën për në Rripin e Gazës. Izraeli kishte kërcënuar vazhdimisht që anijet do të ndalohen në rast nevoje më dhunë. Në bord ishin rreth 10 mijë tonë mallra, në mesin e të cilave materiale për shtëpi, 500 karrige me rrota për invalidë si dhe pajisje të tjera mjekësore.
Pas sulmit Ankaraja ka thirrur në një mbledhje urgjente ambasadorin izraelit, ndërsa ka kërkuar zyrtarisht mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mediat e huaja shkruajnë sot se Erdogani e ka pranuar kërkimfaljen dhe se Netanyahu gjatë telefonatës kishte thënë se gjatë takimit me presidentin Obama kishte biseduar për bashkëpunimin rajonal dhe për rëndësinë e raporteve turko-izraelite.
"Kryeministri shprehu keqardhje për përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe vuri në dukje angazhimin e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjet, në mënyrë që të avancojnë paqen dhe stabilitetin rajonal”, thanë nga qeveria izraelite. “Netanyahu po ashtu ka theksuar se Izraeli tashmë ka hequr disa kufizime në lëvizjen e civilëve dhe të mallrave, për të gjitha territoret palestineze, përfshirë Gazën, dhe se kjo do të vazhdojë për aq kohë sa do të ruhet qetësia”.

 

Blogger news

Blogroll

Live Kosova

Most Reading

Blogger templates