ShareThis

Homee

Search This Blog

Falet apo nuk falet gjaku, kjo është çështja?

Wednesday, March 27, 2013


Falet apo nuk falet gjaku, kjo është çështja?
Ata janë të vendosur të gjithë në “burgjet” e “lirisë së munguar”, si gjallesa të një djerrine që të dhuron peizazhin e një epizmi natyror ku duan dhe përpiqen të jetojnë. Nuk dinë se cila është koha dhe sa e gjerë është hapësira. Një familje e thjeshtë që e mat gjithçka, fatin, lirinë, dinjitetin, shpresën, ëndrrën, të sotmen dhe të ardhmen me rrugëtimin e një karroce që ka si një njollë në trup të saj një numër celulari. Ajo lëviz për të treguar se misionin e jetës e ka gati mesjetar, ndërsa kohë-ekzistencën në periudhën e virtualitetit dixhital. Një përzierje kjo mes civilizimeve të ndryshme. Njeriu që shpërndanë bukën në fshat, këtë “mish të Jezuit” ruan brenda vetes gjithçka që vjen nga thellësitë e honeve dhe gëzohet gati si i kapur në pafajësi, ndërsa bijtë e tij krijojnë vegime me mrekullitë virtuale të botës dixhitale. Duket si një antropologji primitive në shpirt dhe doke, por moderne formalisht në komunikim. Ky kontrast është një gjetje e përkryer filmike që sjell si “brumbull” lëvizës, burgun e parë. Është “burgu i bukës së përditshme” që duhet të mundi jo thjesht varfërinë për të edukuar fëmijët në shkollë, të cilët çuditen se si rriten dhe ushqehen edhe sfungjerët por, se njëkohësisht do të duhet të paguajë me gjak, lëvizjen e jetës. I tërë filmi “Falja e gjakut” luan me metaforën se sa jemi të lirë për të lëvizur. Si e mendojmë lëvizjen? A jemi njerëz të lirisë apo rrugët e shqiptarëve janë ende të zëna edhe në kohët moderne? E mbi të gjitha, e kemi ne shqiptarët lirinë e jetës? Apo vijojmë mugëtirave të shpagimit sepse kështu jemi gatuar? Njerëzit jepen të mbetur peng e një separatizmi medieval. “Mos kalo rrugës së tokës sime por bjeri fshatit qark për të dalë në ‘xhadenë’ kryesore”. E gjithë kjo”materie” jetësore mund të të duket si një sherr banal apo një hakërrim i momentit. Por ja që na rezulton në filmin e regjisorit amerikan Joshua Marston, jo thjesht një kurth fati. Ajo ofrohet si një “trase e jetës” ku edhe në shekullin XXI shqiptarët u dashkërka të paguajnë me gjak dhe të falin gjak sepse kanë mure dhe llagëme brenda vetes. Asgjë nuk zë fill nga e kaluara e largët ku veprimet dhe kodet e gjakut jetonin jashtë hijes së shtetit dhe autoritetit të sistemeve të munguara. Ky kapërcim në konceptimin e strukturës dhe përmbajtjes së “Faljes së Gjakut” zakonor e vetparagjykon veprën me pavërtetësi historike. Episode të tillë mund të gjesh dhe mozaiku i tyre mund edhe të ndërtohej i tillë por, se ka një moral artistik që ritualin njerëzor e sjell “genuine”, ndryshe bie preh e një shfokusimi problemor, pa ç’ka se fokusi vizual mund të lëvizi estetikisht në përsosmëri. Nëse do të ndërtohej një film për “Vendetta-n” e Prosper Mérimee-s, dhe do të devijohej deri në deformim të filozofisë së “shpagimit” me gjak, reagimi Korsikanëve do të vinte vrullshëm ndaj denatyrimit të identitetit. Tek ne mungon me sa duket një kujdes i tillë.
Gjithçka në film provokohet në një sherr njerëzish që fyhen në paedukatë por që nisen të udhëtojnë brenda ngujimit dhe fshehjes, në një mbyllje izoluese në aspektin fizik, dhe mendojnë të takojnë “shtegun” në të kaluarën e largët të “gjakmarrjes” të kodit e të moralit të saj dhe shfaqen të “besarët” që nuk janë më ata njerëzit e çiltër dhe ekzotik, por ca fjalëshumë që japin e marrin në një llafazanëri shterpe ose individë që në vend të qeleshes së bardhë dhe fisnike kanë një kapele “borcelino” dhe një listë kërkesash për “pagesën e pajtimit”. “Gjaku i falur” dhe “tregu i faljes”, ky përfundim të sjellë në dëshpërim sepse rezulton se aktualisht ne shqiptarët as edhe në hullinë e së drejtës zakonore nuk qenkërkemi. Bashkëjetojnë kështu në një “prostituim”, traditat e papërligjura zakonore me njerëzit e tregut që asgjë nuk u ka mbetur nga ai visari brilant. Janë të tillë që dëshirojnë ta mbajnë gjallë këtë lloj “burgosje me ngujim” sepse vet ata janë në një tjetër burg, në “burgun e kotësisë jashtë-institucioneve” me qëllim të vetëm përfitimin. Ky realitet sa do i vërtetë që mund të jetë qoftë edhe si episode, qëmtuar nga bashkëskenaristët apo regjisori falë “kohëshkurtësisë” që jetuan në ato zona nuk do duhej të mjaftonte për këtë kumt të trishtë. Së paku të kishin studiuar dy manuale shkencore veprën e albanologut të shquar austriak George Von Hann “Studime Shqiptare” dhe studimin e kohëve të fundit të një japonezi me titull “Kodi zakonor shqiptar dhe nënshtresat kulturore”. Një vakum i tillë ka bërë që mes kuadrove filmike kudo që filmi shkon për t’u shfaqur spektatori i huaj ta shikojë antropologjinë tonë të tillë që nuk ka fuqi dhe që nuk dashkërka të dali jashtë këtyre rrathëve koncentrikë që janë të mbyllur për të parë përtej tyre. Njerëzit shfaqen si të bllokuar mes mureve të marrëzisë së tyre, krejt të paaftë për të parë në një botë tjetër që pluskon liri dhe jetë pa brenga. Ata janë të “kryqëzuar” dhe llahtarisen se mund të paguash edhe për një gjak që nuk e ke borxh pasi nuk je ti vrasësi dhe se ky i fundit si edhe shpjegohet në film ishte dënuar nga gjykata. E gjithë kjo mjegull marrëzie të mban në morsin e ngujimit dhe ballë përball si dekor janë një kullë e moçme që lyp gjakun e shpagimit dhe një shtëpi e kohës që nuk mund ta përfundojë katin e sipërm. Në të dyja këto ngrehina fëmijët nuk shkojnë në shkollë, janë të dënuar më mungesën e lirisë ose janë të ngujuar në izolimin e gjakmarrjes. Ky fakt është real. Kjo këmbanë alarmi të shkund në përgjegjësi. “E ardhmja e burgosur” mund të quhej ky realitet që ende shoqëria shqiptare mbanë mbi shpinë.
Por, se arsyeja përse ndodh kështu në këtë film nuk është e motivuar nuk harmonizohet me kodin zakonor. Ky “nonsense” të lëndon, sado që virtualiteti artistik mund të bëjë kërcime të tilla në emër të lirisë krijuese. Rastet e vetëgjyqësisë tejet frekuente në ditët tona ndodhin dhe deklarohen kur drejtësia nuk vepron ose keqvepron me dënimet e saja. Tek shihja filmin, më mundonte një brengë jo e krijuar nga ky art magjik, por provokuar pozitivisht me një estetik filmike të arrirë dhe me një lojë brilante të protagonistëve, djalit( interpretuar nga Tristan Halilaj) dhe vajzës( interpretuar Sindi Laçej) që hynë pa lejen dhe dëshirën e tyre në gjak. Më buçiste në shpirt: “A dinë të sillen shqiptarët me jetën?” “A mos vallë ata qenkërkan të destinuar ta vrasin jetën e tyre në çdo kohë apo keqas në gjithëkohësi”? Dhe më tej akoma përtej jetës së humbur, asgjë Talmudiane nuk këndohet në ritualin e tyre “bota pakësohet kur vdes një njeri, bota shtohet kur lind një njeri”. Të dalësh nga kjo djerrinë shpresëhumbur, në emër të një dashurie mes dy të rinjsh dhe të kesh kurajë që të thuash mjaft, kjo është një kreshendo filmike që të bën të rrëqethesh. Ky është një aks në dramacitetin filmik që të mbanë pezull dhe të dhuron emocion. Autorët e filmit e kanë trajtuar këtë relacion në gjithëplanësi kumunikimi nga ato reale deri tek ato virtuale. Dashuria e “vret” ngujimin. Kjo pikërëndesë është e vetmja që e kthen njeriun (spektatorin) në një hapësirë normale dhe në një drejtpeshim që e mbanë dramacitetin filmik në ekuilibrin e logjikës dhe mesazhit që përcjell. Ata brezat e rinj duan të dalin nga kjo “klaustrofobi mesjetare” ku gjithçka është e mbyllur dhe laget nga gjaku i derdhur dhe i falur. Brezat e rinj duan të dalin nga trajektorja e plumbit vrasës. Sythe të tillë po çelnin pa frikë ndaj vrazhdësisë së adultëve të ngurtë dhe të pandjeshëm që bllokojnë rrugën e një vajze apo punën e saj të përditshme për bukën e familjes, thjesht se gjakësit nuk mund të vrasin një femër por mund të poshtërojnë atë edhe kur është ende fëmijë. Një burrë tjetër rend që me “Mercedesin” e tij t’ia kalojë kalit të lodhur të “karrocës së fatit”. Një i tretë tjetër e rraskapitë vajzën në “gjembat” e një tregu me cigare kontrabandë. Kaq shumë burra antifemër në këtë djerrinën tone të gjakmarrjes? E sjell në mendje këtë brengë. E shtyjë tutje me vetqetësimin se është thjesht film. Ajo ringjallet nga kronika e zezë e ditës dhe në pafuqi nuk më) mjafton as edhe braktisja e këtij realiteti duke u strehuar në jetën personale. Filmi në këtë kuptim të zgjon, “të godet me shuplaka” për të të bërë esëll sepse ky realitet është i yni si pronë e marrëzisë kolektive dhe atij konservimi që ndrydhë çdo lumturi a pasion që zë fill nga liria e substancës femërore. Para se të dashurosh u dashka të ngujohesh, para se të ëndërrosh u dashkërka t’i burgosësh ato sepse jeton në hapësirën njerëzore të gjakmarrjes. Ishte pika kulmore kur një person nga familja e të vrarit i thotë “vajzës së karrocës” mos kalo më edhe në rrugën nacionale shko atje në fshatin tënd. Një tkurrje e tillë e mundësisë për të jetuar nuk lë të kondensohet asnjë ndjesi njerëzore. Ajo ç’ka mund të shndërrohet nga avuj në rrjedhje është pafuqia në peshën e palirisë e shndërruar në lotin njerëzor të sinqeritet dhe padurimit. Udhëtimi tjetër është ai i djalit të ngujuar brenda vetes që e solli atë në një eksplorator të murrit. Gërvishtët me thikën e fatit sepse nuk duronte dot më. Mungonte ajri lirisë. Duhej të vritej frika. Dhe ai e vrau së pari ndaj të atit. “Dorëzohu në polici”, - dhe këtu bie ai lloj kujdesi që ishte dhe nuk ishte i tillë. Njeriu nuk do thjeshtë të ngopi barkun. Brezat e rinj duan të mbushen me liri. Udhëtimi drejt shtëpisë së atyre që prisnin të merrnin gjakun është një veprim filmik që jo vetëm të prekte thellë por, se e sillte dramacitetin në një majë besueshmërie dhe natyraliteti që të bënë të mendosh porosinë e Dhiatës së Vjetër, “Të lirë nga frika”. Por në atë moment nuk u dëgjua ndonjë këmbanë, psalja e priftit apo kënga e hoxhës në minare. Duket se për autorët e filmit edhe Zoti e kishte harruar këtë humbëtirë. Atje tek hapësira e “gjakut të pafalur të qëllonin edhe kur je i ngujuar. Po rruga e lirisë a ekziston për këta njerëz?! “Drejt lirisë do duhet të shkojmë vetëm apo të gjithë së bashku”. Autorët e filmit kanë preferuar ikjen vetëm. Mund të jetë edhe kështu. Por se së paku vajzën që i mbante gjallë ëndrrën e të qenit i lirë, përse “ikanaku” drejt “liri-arratisë” nuk e përfilli? Të lësh kështu pa motiv, gati në braktisje atë ç’ka të ka ushqyer për të kuptuar se sa e bukur është jeta jashtë peshës së izolimit? E gjithë kjo zgjidhje filmike të bën të ndjehesh jo mirë me motivet dhe argumentet e mesazhit që edhe një vepër arti përcjellë. Të braktisësh ëndrrën, a është kjo e përligjur në një udhëtim drejt të panjohurës që konsiderohet liri thjesht sepse po të qëndroje më atje do të përfundoje në “burgun” e fundit, në varr? Gardhi me gurë dhe ferra mbeti atje stoik për të pritur viktimën e radhës. Ata njerëz ishin të dënuar në paliri. A jemi ne shqiptarët të tillë dhe deri kur? Për autorët e filmi “Falja e gjakut”, po, ne jemi të tillë. Deri kur këtë përgjigje do duhet ta marrim jo nga të huajt por nga vetja sepse ky film që merr një materie antropologjike shqiptare nuk është film shqiptar as në komponentët ligjor që e bëjnë të tillë, as në filozofinë filmike, as edhe në kumtet që rreshton si “burgje” që tregojnë se këta njerëz ekzotikë nuk dinë ta ndërtojnë LIRINË. Fjalët e nënës në fund të filmit “se kjo ikje është më e keqe se ngujimi sepse nuk do ta shohë më djalin”, godasin rëndë. Por se autorët e filmit nuk ndalen. Arratia ishte shtegu i vetëm. Dëshiroj që të mos kem gabuar sepse liria është jetike jo thjesht dhe vetëm si e drejta e jetës. Do duhet të shkojmë tek një liri tjetër. Të dalim nga tabutë e primitivizmit. Kjo lloj kërshërie qoftë edhe artistike më shumë na dëmton se sa na jep vlerësim. Të ikim nga vetja për t’u bërë njerëz të lirisë. Ky është udhëtimi që pret rrugëtimin tonë të përbashkët, pse jo edhe në pelikulën artistike.

 

Blogger news

Blogroll

Live Kosova

Most Reading

Blogger templates