ShareThis

Homee

Search This Blog

Së shpejti iPhone 6 do t’a keni në duar

Wednesday, March 27, 2013


IPhone 6 është duke u përgatitur për të hyrë në treg në fillim të qershorit.Ekspertët gjithashtu tregojnë se celulari do të jetë i pajisur me një aparat HD super.
IPhone 6, gjithashtu i quajtur jozyrtarisht e 5s iPhone, do të jetë shtëpi për një ekran 4.8-inch, deri nga katër-inch.
Apple është duke menduar gjithashtu për të bërë celularin e shtatë të gjeneratës së saj në dispozicion në një mori mundësish të reja, duke përfshirë edhe ngjyra rozë, të verdhë, blu, jeshile, të purpurt, të kuqe dhe argjendi.

Shqipëria, vendi më homofob i Europës


Shqipëria është vendi më homofob i Europës, vlerësoi një raport i Fondacionit “Shoqëri e Hapur” (Open Society), publikuar ditën e hënë.
Sipas këtij raporti, vendi ynë është ai që më pak aprovon stilin e jetesës së çifteve homoseksuale, biseksuale, transeksuale apo lesbike.
Sondazhi i “Open Society” u realizua në 30 vende europiane dhe në Shqipëri, më shumë se gjysma e popullsisë, ose 53% e saj, u përgjigjën se “anëtarët e komunitetit LBGT nuk duhet të kenë të drejtën të jetojnë në mënyrën që duan”.
Nga ana tjetër, vendet më liberale për zgjedhjet seksuale janë Suedia e Holanda, ku vetëm 3% e popullsisë janë të mendimit se anëtarët e komunitetit LBGT nuk duhet të shprehin hapur preferencat e tyre seksuale.
Duhet thënë se me përjashtim të Kroacisë, Shqipëria ishte vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor i marrë në studim, në një rajon ku besohet se homofobia ka përqindjet më të larta, krahasuar me të gjithë vendet e tjera europiane.

Arrestohet ish-drejtori i një banke, ndërhyri në llogaritë VIP, dëmi 100 mijë euro


TIRANË- Një ish-drejtor i një banke në Tiranë është vënë nën pranga, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Policia e Tiranës bëri me dije se nga hetimet e kryera ish-drejtori Genci Markollari ka ndërhyrë në llogaritë bankare të klientëve VIP në bankë duke kryer një dëm prej 100 mijë eurosh.

Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini bëri të ditur gjatë një konference për shtyp se arrestimi i shtetasit 37- vjeçar, Genci Markollari, me detyrë drejtori i një banke të nivelit të dytë në vitet 2004-2012, është bërë në kuadër të një operacioni të koduar “Bankieri”.

Sipas saj, ai akuzohet se ka përfituar një shumë prej mbi 100 mijë euro, të cilën e ka tërhequr cash nga llogaritë e klientëve të mëdhenj të bankës ku ishte i punësuar.

“Ish drejtori duke shpërdoruar detyrën ka tërhequr para kesh nga llogaritë duke bërë derdhje virtuale, apo fiktive me dëm ekonomik mbi 100 mijë euro. Kete aktivitet ai e ka bere ne bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës, emrat e te cileve nuk behen te ditur per efekt hetimesh, në afat 2 vjecar në llogaritë e mbi 5 klientëve”- tha ajo.

Mësohet se ai ishte shkarkuar nga detyra pas një denoncimi në muajin dhjetor të vitit, 2012. 

Vrasja në ’98 e ish-ministrit Krasniqi, familja: Të rivarroset në Kosovë


Ahmet Krasniqi, ish-ministër i parë i Mbrojtjes së Kosovës, ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë në moshën 50-vjeçare, prehet në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari. Aziz Krasniqi, kushëriri i parë i ministrit, në intervistën dhënë për "Gazetën Shqiptare", shprehet se në këtë 15-vjetor të përkujtimit të tij do kërkojnë që eshtrat e Ahmet Krasniqit të kthehen në Kosovë dhe të vendosen në varrezat e dëshmorëve. Por si ka qenë jeta e ish-ministrit në fëmijëri, rritja e tij jetim e sa ka ndikuar familja e krijuar me serben Sllobodanka në përcaktimet e ndryshme që i kanë bërë qenies së tij pas vrasjes...

Keni qenë ndonjë herë në shtëpinë e tij në Tiranë? Sa di unë dhe jam i sigurt, Ahmet Krasniqi nuk ka pasur shtëpi personale në Tiranë. Ai ishte në Tiranë përkohësisht, por edhe në Tropojë, derisa të futej në Kosovë me batalionin "Skënderbeu".
Pas vrasjes së Krasniqit, pati më ofensiva serbe? Pas vrasjes së tij në Tiranë, më 21 shtator 1998, në mëngjesin e 22 shtatorit, forcat serbe e bënë Zhilivodën (vendlindjen e Ahmet Krasniqit) rrafsh me tokë. Popull dhe ushtarë ishim të strehuar në Qyqavicë, pikërisht familja ime u gjind në vendin e quajtur Qeshmja e Djefci.
Pse nuk i interesonte politikës kosovare të kishte në qeveri një burrë si Ahmet Krasniqi? Sepse ishte lufta për pushtet, sepse ishin përçarjet pikërisht sikur në kohën e Jusuf Gërvallës. Sepse gjatë luftës mbretëronte një atmosferë vëllavrasëse mu sikur pas Mbledhjes së Mukjes dhe kjo gjendje vazhdoi edhe pas luftës që gjithashtu janë të dhimbshme.
Vrasësit e tij janë identifikuar dy shqiptarë që përdorin dialektin e Kosovës, dini gjë për fatin e tyre, njërin kemi lexuar se është vrarë? Besoj që për këtë pyetje jam përgjigjur në pyetjen e mësipërme. Sikur të dinim dhe të ishim të sigurt nga ajo që thuhet në net, sigurisht që do t'iu bënim padinë në gjyq. Emri dhe mbiemri i të vrarit gjendet në faqen e (FB) të Ahmet Krasniqit. Por, atë emër e shkroi nofka Arvan Arvanitas. Sa mund t'i besohet një nofke!?
E kë akuzoni për vrasjen e tij? Kjo çështje është aq shumë e koklavitur sa s'mund t'i vesh gishtin askujt. Për këtë kemi kërkuar nga drejtësia shqiptare të hapë dosjen e Ahmet Krasniqit për t'u gjetur vrasësit, ose të na thonë nëse kjo është vazhdimësi e persekutimit të fisit tonë nga ai rrjeti enverist si Haziz Xhelivodës e ministrit Krasniqi. Është thënë se 3 vetë në atë atentat kanë qenë nga Shqipëria e pesë nga Kosova. Pse nuk jepen emrat e tyre, të dënohen, por i duhet të mbajë në ndërgjegje peshën e vrasjes së Ahmetit.
Komandanti ka lënë gruan, Sllobodankën, vajzën Teutën e një djalë, Florentin. Ku jetojnë ata tani, me se merren, sa shpesh i takoni? Gruaja jeton në Rovinje ndërsa fëmijët në Zagreb. Djali vjen shpeshherë në Kosovë d.m.th takohemi 4 apo 5 herë në vit.
Po bashkëshortja e Ahmetit, Sllobodanka është kroate? Është serbe, por dihet fakti që në atë kohë me kryerjen akademinë ushtarake dhe me marrë gruan shqiptare ka qenë shumë vështirë.
Ka ndikuar gruaja e tij që disa e quajnë jugosllav? Po çfarë lidhje ka gruaja. Edhe Ismail Qemali gruan e kishte bullgare, por vetë ishte shqiptar. Vrasja e Ahmet Krasniqit ka qenë vrasja më e madhe pas Hasan Prishtinës dhe e ngjashme me vrasjen e anëtarit të qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Durrahi. Fatkeqësisht këtu përsëritet historia, për shkak se ende ka njerëz që kanë propaganduar e propagandojnë kundër popullit shqiptar.
Mund të na tregoni copëza kujtimesh tuajat personale me të ndjerin ministër? Viti nuk më kujtohet kur ka qenë në familje, por besoj diku rreth vitit 1989-1990, po në atë kohë isha në shoqërinë kulturo- artistike "Jusuf Gervalla" dhe Ahmeti më tha: Këndoja Bacit një këngë me çifteli. Ja këndova këngën "Moj Serbi shtrig e vjetër" kur përfundova më tha: Të këndoftë zemra e rrofsh Aziz Zhilivoda i vogël.
Kur ia këndove këngën, Ahmeti erdhi në shtëpinë tuaj? Ishim në odën e axhës Ragip, kështu që shtëpia jonë ka qenë e përbashkët.
Po gjyshi juaj, ku jetonte dhe pse u dënua? Jetonte në Elbasan dhe u dënua me 10 vite burg me akuzën se kishte bërë propagandë kundër pushtetit të atëhershëm Enverist dhe mbronte shokët e tij patriotë nga Kosova.
Ahmet Krasniqi është varrosur afër Azem Hajdarit në Tiranë, njihej me të? Po, Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi njiheshin mirë, sepse Azem Hajdari ka qenë mbështetës i fortë i çlirimit të Kosovës.
Mos kanë lidhje dy vrasjet bashkë? Mund të kenë lidhje, por ne nuk dimë asgjë në këtë drejtim. Sipas asaj që dihet, pas një darke pune në restorantin "Nëna mbretëreshë" nga restoranti dalin 3 automjete dhe rrugës i ndal policia shqiptare e maskuar, dy i lëshon por ua ndërron drejtimin, ndërsa automjeti ku gjendej Ahmet Krasniqi niset në drejtim të banesës ku banonte.
Me kë ka qenë Ahmet Krasniqi kur është vrarë? Drejtues i automjetit ka qenë Naim Geci dhe një gazetar-oficer Rifat Haxhijaj, të dy jetojnë në Zvicër. Vrasjen nuk e kanë shpjeguar asnjëherë publikisht.
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë pasur njohje me Ahmetin? Hashim Thaçin e di se ka pasur njohje, ndërsa për Ramushin s'mund të them, se nuk e di.
Pse u rrit në shtëpinë tuaj Ahmet Krasniqi? I ati i Ahmet Krasniqit vdiq pas torturave serbe rrugës për në spital, ndërsa e ëma i vdiq pak kohë pas lindjes së Ahmetit. Në kohë që ai do lindte, 36 anëtarë të familjes sonë kanë qenë në burg në Vushtre. Kur i erdhi koha me lind, nanën e Ahmetit e nxorën prej burgut e ajo shkoi te vëllezërit e vet në Bushnicë. Ai u rrit jetim e deri tre vjeç ka nejt te dajat. Më pa Shehidja, gjyshja ime, gruaja e Haziz Xhilivodës e rriti atë e Bexhetin deri sa u shkolluan.
Po jeta e vëllait të vet? Më 1981 Bexheti u dënua për mbajtje të librave të ndaluar dhe u burgos. Më pas iku në Gjermani, aty ku ende jeton.
Ekziston shtëpia juaj e vjetër? Jo, ajo u kall nga lufta e gërmadhë ka mbet.
Shumë njerëz kanë marrë tituj, por duket se emri i Ahmet Krasniqit është lënë pak në hije? Ahmet Krasniqi është shpallur Hero i Kombit e për sa i përkeq asaj çështjes së lënë në hije, po jua përsëris që, me u hap dosja e Ahmetit, dalin në shesh shumë të palara, e kjo kuti e Pandorës s'i intereson politikës me e hap.
Po rrugë me emrin e tij a ka? Po, ka një rrugë në Prishtinë, që më parë njihej si rruga "Dragodan", ka në Prizren në lagjen "Artakall" dhe në Mitrovicë.
Tani, meqë bëhen 15 vjet nga vdekja e tij, do i kërkoni eshtrat e tij për t'i bërë në rivarrim siç i takon? Sigurisht që ne dëshirojmë shumë që t'i kthejmë eshtrat e Ahmet Krasniqit në Kosovë, por duam ta bëjmë këtë institucionalisht, sepse ashtu i takon. Kemi kërkuar për një vend në Varrezat e Dëshmorëve nga Isa Mustafa dhe ai ka premtuar se do e bëjë të mundur, por ka thënë që kjo do punë. Por ne do kërkojmë 'non stop' të sillen eshtrat e tij në Kosovë ashtu siç i takon. Ndërkaq, duam të sjellim në Kosovë edhe eshtrat e gjyshit, Haziz Xhilivodës, i cili ndodhet i varrosur në Elbasan.
U jeni drejtuar institucioneve shqiptare për hapjen e dosjes? Po, Bexhet Krasniqi, vëllai i Ahmetit, ka kërkuar të hapet dosja dhe i kanë thënë që të gjejë një avokat të fortë për të ndjekur këtë çështje. Por s'e kuptojmë pse për një vrasje të një niveli kaq të lartë duhet të merremi ne me avokatë, dhe shteti shqiptar ku u krye vrasja nuk përpiqet me zbardhë çështjen e me gjet fajtorët. 

Libri, Kosova pasqyrohet si shtet i “mafias”


Pierre Pean, gazetari që ka tronditur Francën në vitin 2008 me një libër që flet për lidhjet e supozuara të ish-ministrit të jashtëm francez Bernard Kouchner me ish-diktatorët afrikanë, po përgatitet që kah mesi i prillit të hedhë në treg një libër të ri. Këtë radhë nuk ka për temë Afrikën, por Kosovën.

Funksionimi i SHIK-ut, lidhjet e kësaj strukture që pretendohet se ekzistojnë me kryeministrin aktual të Kosovës Hashim Thaçi, aktivitetet e nëntokës në Kosovë, lufta e UÇK-së, akuzat për krime lufte dhe lidhjet e pretenduara të nëntokës me ish-kryeministrin tjetër, Ramush Haradinaj, janë subjekt i librit, shkruan gazeta “Tribuna”.

Sipas burimeve të gazetës, libri kryesisht mbështetet në raporte të inteligjencës së trupave franceze që kanë operuar në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Sipas të njëjtave burime, ky libër është i fokusuar kryesisht në aktivitetet e pasluftës në Kosovë.

Falet apo nuk falet gjaku, kjo është çështja?


Falet apo nuk falet gjaku, kjo është çështja?
Ata janë të vendosur të gjithë në “burgjet” e “lirisë së munguar”, si gjallesa të një djerrine që të dhuron peizazhin e një epizmi natyror ku duan dhe përpiqen të jetojnë. Nuk dinë se cila është koha dhe sa e gjerë është hapësira. Një familje e thjeshtë që e mat gjithçka, fatin, lirinë, dinjitetin, shpresën, ëndrrën, të sotmen dhe të ardhmen me rrugëtimin e një karroce që ka si një njollë në trup të saj një numër celulari. Ajo lëviz për të treguar se misionin e jetës e ka gati mesjetar, ndërsa kohë-ekzistencën në periudhën e virtualitetit dixhital. Një përzierje kjo mes civilizimeve të ndryshme. Njeriu që shpërndanë bukën në fshat, këtë “mish të Jezuit” ruan brenda vetes gjithçka që vjen nga thellësitë e honeve dhe gëzohet gati si i kapur në pafajësi, ndërsa bijtë e tij krijojnë vegime me mrekullitë virtuale të botës dixhitale. Duket si një antropologji primitive në shpirt dhe doke, por moderne formalisht në komunikim. Ky kontrast është një gjetje e përkryer filmike që sjell si “brumbull” lëvizës, burgun e parë. Është “burgu i bukës së përditshme” që duhet të mundi jo thjesht varfërinë për të edukuar fëmijët në shkollë, të cilët çuditen se si rriten dhe ushqehen edhe sfungjerët por, se njëkohësisht do të duhet të paguajë me gjak, lëvizjen e jetës. I tërë filmi “Falja e gjakut” luan me metaforën se sa jemi të lirë për të lëvizur. Si e mendojmë lëvizjen? A jemi njerëz të lirisë apo rrugët e shqiptarëve janë ende të zëna edhe në kohët moderne? E mbi të gjitha, e kemi ne shqiptarët lirinë e jetës? Apo vijojmë mugëtirave të shpagimit sepse kështu jemi gatuar? Njerëzit jepen të mbetur peng e një separatizmi medieval. “Mos kalo rrugës së tokës sime por bjeri fshatit qark për të dalë në ‘xhadenë’ kryesore”. E gjithë kjo”materie” jetësore mund të të duket si një sherr banal apo një hakërrim i momentit. Por ja që na rezulton në filmin e regjisorit amerikan Joshua Marston, jo thjesht një kurth fati. Ajo ofrohet si një “trase e jetës” ku edhe në shekullin XXI shqiptarët u dashkërka të paguajnë me gjak dhe të falin gjak sepse kanë mure dhe llagëme brenda vetes. Asgjë nuk zë fill nga e kaluara e largët ku veprimet dhe kodet e gjakut jetonin jashtë hijes së shtetit dhe autoritetit të sistemeve të munguara. Ky kapërcim në konceptimin e strukturës dhe përmbajtjes së “Faljes së Gjakut” zakonor e vetparagjykon veprën me pavërtetësi historike. Episode të tillë mund të gjesh dhe mozaiku i tyre mund edhe të ndërtohej i tillë por, se ka një moral artistik që ritualin njerëzor e sjell “genuine”, ndryshe bie preh e një shfokusimi problemor, pa ç’ka se fokusi vizual mund të lëvizi estetikisht në përsosmëri. Nëse do të ndërtohej një film për “Vendetta-n” e Prosper Mérimee-s, dhe do të devijohej deri në deformim të filozofisë së “shpagimit” me gjak, reagimi Korsikanëve do të vinte vrullshëm ndaj denatyrimit të identitetit. Tek ne mungon me sa duket një kujdes i tillë.
Gjithçka në film provokohet në një sherr njerëzish që fyhen në paedukatë por që nisen të udhëtojnë brenda ngujimit dhe fshehjes, në një mbyllje izoluese në aspektin fizik, dhe mendojnë të takojnë “shtegun” në të kaluarën e largët të “gjakmarrjes” të kodit e të moralit të saj dhe shfaqen të “besarët” që nuk janë më ata njerëzit e çiltër dhe ekzotik, por ca fjalëshumë që japin e marrin në një llafazanëri shterpe ose individë që në vend të qeleshes së bardhë dhe fisnike kanë një kapele “borcelino” dhe një listë kërkesash për “pagesën e pajtimit”. “Gjaku i falur” dhe “tregu i faljes”, ky përfundim të sjellë në dëshpërim sepse rezulton se aktualisht ne shqiptarët as edhe në hullinë e së drejtës zakonore nuk qenkërkemi. Bashkëjetojnë kështu në një “prostituim”, traditat e papërligjura zakonore me njerëzit e tregut që asgjë nuk u ka mbetur nga ai visari brilant. Janë të tillë që dëshirojnë ta mbajnë gjallë këtë lloj “burgosje me ngujim” sepse vet ata janë në një tjetër burg, në “burgun e kotësisë jashtë-institucioneve” me qëllim të vetëm përfitimin. Ky realitet sa do i vërtetë që mund të jetë qoftë edhe si episode, qëmtuar nga bashkëskenaristët apo regjisori falë “kohëshkurtësisë” që jetuan në ato zona nuk do duhej të mjaftonte për këtë kumt të trishtë. Së paku të kishin studiuar dy manuale shkencore veprën e albanologut të shquar austriak George Von Hann “Studime Shqiptare” dhe studimin e kohëve të fundit të një japonezi me titull “Kodi zakonor shqiptar dhe nënshtresat kulturore”. Një vakum i tillë ka bërë që mes kuadrove filmike kudo që filmi shkon për t’u shfaqur spektatori i huaj ta shikojë antropologjinë tonë të tillë që nuk ka fuqi dhe që nuk dashkërka të dali jashtë këtyre rrathëve koncentrikë që janë të mbyllur për të parë përtej tyre. Njerëzit shfaqen si të bllokuar mes mureve të marrëzisë së tyre, krejt të paaftë për të parë në një botë tjetër që pluskon liri dhe jetë pa brenga. Ata janë të “kryqëzuar” dhe llahtarisen se mund të paguash edhe për një gjak që nuk e ke borxh pasi nuk je ti vrasësi dhe se ky i fundit si edhe shpjegohet në film ishte dënuar nga gjykata. E gjithë kjo mjegull marrëzie të mban në morsin e ngujimit dhe ballë përball si dekor janë një kullë e moçme që lyp gjakun e shpagimit dhe një shtëpi e kohës që nuk mund ta përfundojë katin e sipërm. Në të dyja këto ngrehina fëmijët nuk shkojnë në shkollë, janë të dënuar më mungesën e lirisë ose janë të ngujuar në izolimin e gjakmarrjes. Ky fakt është real. Kjo këmbanë alarmi të shkund në përgjegjësi. “E ardhmja e burgosur” mund të quhej ky realitet që ende shoqëria shqiptare mbanë mbi shpinë.
Por, se arsyeja përse ndodh kështu në këtë film nuk është e motivuar nuk harmonizohet me kodin zakonor. Ky “nonsense” të lëndon, sado që virtualiteti artistik mund të bëjë kërcime të tilla në emër të lirisë krijuese. Rastet e vetëgjyqësisë tejet frekuente në ditët tona ndodhin dhe deklarohen kur drejtësia nuk vepron ose keqvepron me dënimet e saja. Tek shihja filmin, më mundonte një brengë jo e krijuar nga ky art magjik, por provokuar pozitivisht me një estetik filmike të arrirë dhe me një lojë brilante të protagonistëve, djalit( interpretuar nga Tristan Halilaj) dhe vajzës( interpretuar Sindi Laçej) që hynë pa lejen dhe dëshirën e tyre në gjak. Më buçiste në shpirt: “A dinë të sillen shqiptarët me jetën?” “A mos vallë ata qenkërkan të destinuar ta vrasin jetën e tyre në çdo kohë apo keqas në gjithëkohësi”? Dhe më tej akoma përtej jetës së humbur, asgjë Talmudiane nuk këndohet në ritualin e tyre “bota pakësohet kur vdes një njeri, bota shtohet kur lind një njeri”. Të dalësh nga kjo djerrinë shpresëhumbur, në emër të një dashurie mes dy të rinjsh dhe të kesh kurajë që të thuash mjaft, kjo është një kreshendo filmike që të bën të rrëqethesh. Ky është një aks në dramacitetin filmik që të mbanë pezull dhe të dhuron emocion. Autorët e filmit e kanë trajtuar këtë relacion në gjithëplanësi kumunikimi nga ato reale deri tek ato virtuale. Dashuria e “vret” ngujimin. Kjo pikërëndesë është e vetmja që e kthen njeriun (spektatorin) në një hapësirë normale dhe në një drejtpeshim që e mbanë dramacitetin filmik në ekuilibrin e logjikës dhe mesazhit që përcjell. Ata brezat e rinj duan të dalin nga kjo “klaustrofobi mesjetare” ku gjithçka është e mbyllur dhe laget nga gjaku i derdhur dhe i falur. Brezat e rinj duan të dalin nga trajektorja e plumbit vrasës. Sythe të tillë po çelnin pa frikë ndaj vrazhdësisë së adultëve të ngurtë dhe të pandjeshëm që bllokojnë rrugën e një vajze apo punën e saj të përditshme për bukën e familjes, thjesht se gjakësit nuk mund të vrasin një femër por mund të poshtërojnë atë edhe kur është ende fëmijë. Një burrë tjetër rend që me “Mercedesin” e tij t’ia kalojë kalit të lodhur të “karrocës së fatit”. Një i tretë tjetër e rraskapitë vajzën në “gjembat” e një tregu me cigare kontrabandë. Kaq shumë burra antifemër në këtë djerrinën tone të gjakmarrjes? E sjell në mendje këtë brengë. E shtyjë tutje me vetqetësimin se është thjesht film. Ajo ringjallet nga kronika e zezë e ditës dhe në pafuqi nuk më) mjafton as edhe braktisja e këtij realiteti duke u strehuar në jetën personale. Filmi në këtë kuptim të zgjon, “të godet me shuplaka” për të të bërë esëll sepse ky realitet është i yni si pronë e marrëzisë kolektive dhe atij konservimi që ndrydhë çdo lumturi a pasion që zë fill nga liria e substancës femërore. Para se të dashurosh u dashka të ngujohesh, para se të ëndërrosh u dashkërka t’i burgosësh ato sepse jeton në hapësirën njerëzore të gjakmarrjes. Ishte pika kulmore kur një person nga familja e të vrarit i thotë “vajzës së karrocës” mos kalo më edhe në rrugën nacionale shko atje në fshatin tënd. Një tkurrje e tillë e mundësisë për të jetuar nuk lë të kondensohet asnjë ndjesi njerëzore. Ajo ç’ka mund të shndërrohet nga avuj në rrjedhje është pafuqia në peshën e palirisë e shndërruar në lotin njerëzor të sinqeritet dhe padurimit. Udhëtimi tjetër është ai i djalit të ngujuar brenda vetes që e solli atë në një eksplorator të murrit. Gërvishtët me thikën e fatit sepse nuk duronte dot më. Mungonte ajri lirisë. Duhej të vritej frika. Dhe ai e vrau së pari ndaj të atit. “Dorëzohu në polici”, - dhe këtu bie ai lloj kujdesi që ishte dhe nuk ishte i tillë. Njeriu nuk do thjeshtë të ngopi barkun. Brezat e rinj duan të mbushen me liri. Udhëtimi drejt shtëpisë së atyre që prisnin të merrnin gjakun është një veprim filmik që jo vetëm të prekte thellë por, se e sillte dramacitetin në një majë besueshmërie dhe natyraliteti që të bënë të mendosh porosinë e Dhiatës së Vjetër, “Të lirë nga frika”. Por në atë moment nuk u dëgjua ndonjë këmbanë, psalja e priftit apo kënga e hoxhës në minare. Duket se për autorët e filmit edhe Zoti e kishte harruar këtë humbëtirë. Atje tek hapësira e “gjakut të pafalur të qëllonin edhe kur je i ngujuar. Po rruga e lirisë a ekziston për këta njerëz?! “Drejt lirisë do duhet të shkojmë vetëm apo të gjithë së bashku”. Autorët e filmit kanë preferuar ikjen vetëm. Mund të jetë edhe kështu. Por se së paku vajzën që i mbante gjallë ëndrrën e të qenit i lirë, përse “ikanaku” drejt “liri-arratisë” nuk e përfilli? Të lësh kështu pa motiv, gati në braktisje atë ç’ka të ka ushqyer për të kuptuar se sa e bukur është jeta jashtë peshës së izolimit? E gjithë kjo zgjidhje filmike të bën të ndjehesh jo mirë me motivet dhe argumentet e mesazhit që edhe një vepër arti përcjellë. Të braktisësh ëndrrën, a është kjo e përligjur në një udhëtim drejt të panjohurës që konsiderohet liri thjesht sepse po të qëndroje më atje do të përfundoje në “burgun” e fundit, në varr? Gardhi me gurë dhe ferra mbeti atje stoik për të pritur viktimën e radhës. Ata njerëz ishin të dënuar në paliri. A jemi ne shqiptarët të tillë dhe deri kur? Për autorët e filmi “Falja e gjakut”, po, ne jemi të tillë. Deri kur këtë përgjigje do duhet ta marrim jo nga të huajt por nga vetja sepse ky film që merr një materie antropologjike shqiptare nuk është film shqiptar as në komponentët ligjor që e bëjnë të tillë, as në filozofinë filmike, as edhe në kumtet që rreshton si “burgje” që tregojnë se këta njerëz ekzotikë nuk dinë ta ndërtojnë LIRINË. Fjalët e nënës në fund të filmit “se kjo ikje është më e keqe se ngujimi sepse nuk do ta shohë më djalin”, godasin rëndë. Por se autorët e filmit nuk ndalen. Arratia ishte shtegu i vetëm. Dëshiroj që të mos kem gabuar sepse liria është jetike jo thjesht dhe vetëm si e drejta e jetës. Do duhet të shkojmë tek një liri tjetër. Të dalim nga tabutë e primitivizmit. Kjo lloj kërshërie qoftë edhe artistike më shumë na dëmton se sa na jep vlerësim. Të ikim nga vetja për t’u bërë njerëz të lirisë. Ky është udhëtimi që pret rrugëtimin tonë të përbashkët, pse jo edhe në pelikulën artistike.

Bleona do të performojë në “White Party”

Friday, March 22, 2013

Bleona Qereti do të performojë në festën vjetore “White Party 2013″, ku pritet të sjellë si premierë këngën debutuese për SHBA.
Bleona Qereti
“Do të jem në ‘White Party’ që është festivali më i madh i homoseksualëve në Kaliforni. Më pëlqen të performoj përpara turmave homeseksuale, ata janë të gjithë të lidhur me anën e shkëlqyer të muzikës dance dhe unë gjithmonë mezi pres performimet përpara asaj turme, pasi që e di se të gjithë ne do të argëtohemi”.
“Unë mund të garantoj se do të bëj shfaqjen më të mirë që kanë për të parë atje, sepse unë nuk mund të pranoj që kushdo tjetër të bëjë performancë më të mirë se unë”, ka thënë Bleona.
Ngjarja do të zhvillohet nga 29 marsi deri më 1 prill në Palm Springs, Kaliforni, ndërsa krahas Bleonës, e cila do të performojë më 30 mars, aty do të jenë edhe yje të tjera si Carmen Electra, Ana Matronic nga “Scissor Sisters” dhe Alexis Jordan. 

 

Blogger news

Blogroll

Live Kosova

Most Reading

Blogger templates